Lajme

Gjykata në Deçan cakton një muaj paraburgim ndaj tre të dyshuarve për fajde

Foto ilustruese - Paratë

Gjykata Themelore në Pejë, Dega në Deçan, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve H.T, A.V dhe A.Ç, pasi që dyshohet se kanë kryer veprën penale “fajde”, njofton Shqip.com.

Përmes një komunikate, Gjykata ka bërë të ditur se i pandehuri H.T, në janar deri në maj të vitit 2020, ka kontraktuar një shumë të pasurisë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit si pasojë e pandemisë dhe disa borxheve që kishte.

“Në këtë mënyrë që i pandehuri i jep të dëmtuarit një shumë të hollave në emër të fajdesë të cilën i dëmtuari ia kthen në muajin prill 2020, mirëpo të dëmtuarit i rëndohet edhe më shumë gjendja financiare dhe i pandehuri në muajin maj 2020 i jep përsëri para me fajde duke realizuar kështu dobi pasurore.  Pastaj, i pandehuri, në fillim të muajit Maj 2021, me fjalë, seriozisht e kanos të dëmtuarin se duhet të vazhdojë të paguaj fajdenë ose do ta privoj nga jeta, për çka te i dëmtuari shkakton frikë dhe panik”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Gjykatës.

Ndërkaq i pandehuri, A.V, në muajin tetor 2020, ka kontraktuar një shumë të pasurisë, duke e fshrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit, në atë mënyrë që këtijtë fundit për shkak të pandemisë i rëndohet gjendja financiare dhe i pandehuri i jep para me fajde, të cilën i dëmtuari e paguan çdo muaj.

“I pandehuri A.Ç, në janar të vitit 2020 e në vazhdimësi gjer me datë 15.09.2021, me dashje ndihmon personin tjetër në kryerjen e veprës penale të fajdesë në atë mënyrë që, të dëmtuarit në vitin 2019 për shkak të pandemisë dhe disa borxheve i rëndohet gjendja financiare ashtu që i pandehuri A.Ç ndërmjetëson te i pandehuri H.T, që t’i jep të dëmtuarit një shumë të hollave në emër të fajdesë”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Po ashtu, Gjykata ka njoftuar se kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./Shqip.com