Lajme

Burri nga Gjakova pasi e kishte goditur tetë herë me thikë gruan e tij: Nuk kam qenë vetvetja, nuk e di çka kam bërë

Seancë gjyqësore

I akuzuari M.J ka mohuar se ka tentuar që të vriste gruan e tij duke e goditur tetë herë me thikë në parkun e qytetit të Gjakovës, përcjell Shqip.com.

Në seancën fillestare që u mbajt të mërkurën në Gjykatën e Gjakovës, pas leximit të aktakuzës, i akuzuari tha se i pranon veprimet, por nuk e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

“Nuk jam kon vetvetja, nuk di çka kam bo”, tha i akuzuari.

Në këto rrethana, meqenëse i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Drilon Haraçia tha se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet, mirëpo se palën në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të parashtrojnë me shkrim kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se M.J me 31 mars 2021, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të bashkëshorten e tij, N.N.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që për shkak të problemeve të mëparshme xhelozie dhe po ashtu të disa rasteve të dhunës në familje që i akuzuari ia ka shkaktuar të dëmtuarës, i njëjti sapo e vëren të dëmtuarën tek vendi i lartcekur e përcjell pas e i afrohet, e kap për fyti me dorën e djathtë.

Tutje, sipas aktakuzës, me dorën e majtë e nxjerrë thikën nga xhepi, e në prezencën e fëmijëve të moshës 2 dhe 4 vjec, duke bërtitur “Allahu Ekber”, e therë 8 herë me thikë, fillimisht në qafë, ku e dëmtuara bie për tokë dhe tenton të mbrohet me duar, i akuzuari vazhdon duke e therur edhe disa herë në gjoks, brinjë si dhe prapë në drejtim të qafës.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”. Kjo vepër dënohet jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm, ndërsa në nenin 28 thuhet personi që tenton të kryejë vepër penale dënohet si të kishte kryer veprën penale, mirëpo dënimi mund të zbutet./Shqip.com