Hovenier dënon sulmet ndaj gazetarëve në veri të Mitrovicës

Ambasada amerikane në Prishtinë i është bashkuar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në dënimin e një serie të sulmeve ndaj gazetarëve së fundmi në veriun e Kosovës.
Ambasada dënon fuqishëm sulmin e sotëm ndaj ekipit të Klan Kosovës në Zubin Potok dhe të gjitha sulmet e tjera që u janë bërë gazetarëve gjatë këtij muaji.
“Shtetet e Bashkuara i bashkohen Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, duke e dënuar fuqishëm të fundit nga një seri sulmesh ndaj gazetarëve kosovarë. Mediat duhet të lejohen të punojnë të lira nga kërcënimet për dhunë dhe frikësim. Një shtyp i lirë dhe i pavarur është baza e demokracisë”, thuhet në reagimin e ambasadës, ku citohet ambasadori Jeff Hovenier.
AGK sot ka alarmuar për sulmet e njëpasnjëshme ndaj gazetarëve në veriun e Kosovës, ku situata është tensionuar prej fillimit të dhjetorit.
Sot, Klan Kosova ka raportuar se një ekip i saj është sulmuar nga persona të maskuar në Zupç të Zubin Potokut. Gazetarja dhe shoferi kanë marrë trajtim mjekësor pas lëndimeve që u janë shkaktuar nga sulmi me gurë në drejtim të veturës së tyre.
/Shqip.com