Lajme

Sulmohet ekipi i një mediumi në veri nga persona të maskuar, reagon AGK-ja

Sot gjatë ditës është raportuar se ekipi i televizionit Klan Kosova është sulmuar nga disa persona të maskuar derisa po raportonin nga veriu.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Në një trend alarmues, AGK-ja është njoftuar sot për një tjetër sulm të rëndë kundër gazetarëve që po raportojnë nga veriu i vendit. Persona të maskuar e kanë sulmuar ekipin e Klan Kosovës në Zubin Potok.
Ekipi i përbërë nga gazetarët Qëndresa Bellagoshi, Drin Demiri, kameramani Agon Bejtullahu dhe shoferi Elsad Sinani, janë sulmuar sot në fshatin Zupç”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Sipas AGK-së, nga sulmi një gazetare dhe shoferi i ekipit kanë marrë trajtim mjekësor.

“Gazetarja Bellagoshi dhe shoferi Sinani kanë marrë trajtim mjekësor, pasi që xhamat e veturës së thyer nga gurët i kanë goditur në fytyrë. Teksa, Demiri dhe Bejtullahu kanë shpëtuar pa lëndime. Për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës Sulmet e vazhdueshme përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri”.

AGK-ja, ka kërkuar nga KFOR-i dhe EULEX-i që të luajnë rol shtesë për të garantuar sigurinë fizike të gazetarëve, që vazhdojnë të jenë cak i sulmeve të organizuara nga grupe personash të maskuar.

/Shqip.com