Kërcënon Lista Serbe: Nëse tentoni t’i hiqni barrikadat, do ta merrni përgjigjen e popullit serb

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi sot se institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat e vendosura në veri dhe se në koordinim me partnerët ndërkombëtarë janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat.
Ai gjithashtu bëri të ditur se mbrëmë e ka kaluar darkën së bashku me zyrtarët policorë në Bërnjak, në veri të vendit.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Lista Serbe, e cila vizitën e Sveçlës në veri e ka cilësuar si “provokim të radhës nga Albin Kurti dhe vartësit e tij me qëllim të përshkallëzimit të situatës në terren”.
“Ai e di shumë mirë se nuk ka ardhur në komunat serbe në veri të Kosovës dhe as s’ka çfarë të kërkojë në rajonet tona. Theksojmë se populli serb është i përkushtuar për paqen në këto zona dhe deklaratat e Sveçlës se është i gatshëm të vazhdojë të përdorë dhunën dhe të heqë barrikadat me dhunë janë në favor të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës”, kanë thënë nga kjo parti.
Lista Serbe ka kërcënuar se institucionet e Kosovës “do të marrin përgjigjen e popullit serb” nëse tentojnë t’i heqin barrikadat, shkruan gazeta Blic.
“Ne do të bëjmë gjithçka që ta ruajmë paqen dhe popullin tonë nga sulmet e Prishtinës, por nëse njësitë e Kurtit tentojnë të përdorin dhunën për të hequr barrikadat, do të marrin përgjigjen e popullit serb që e meritojnë”, thuhet në reagimin e tyre.
/Shqip.com