Parlamenti dhe Këshilli i BE-së arrijnë marrëveshje për liberalizimin e vizave për Kosovën
Përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Evropian kanë arritur sot marrëveshjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Të mërkurën ekipet negociuese të Parlamentit dhe Këshillit arritën marrëveshjen e shumëpritur për liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në njoftimin për media të Parlamentit Evropian.
Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Në emër të PE-së negociata i ka zhvilluar raportuesi për liberalizim të vizave për Kosovën, Thijs Reuten nga Holanda.
“Heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”, thuhet në këtë njoftim.
Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zone, raporton Radio Evropa e Lirë.
Sot Liderët shtetërorë të Kosovës edhe zyrtarisht e kanë nënshkruar aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Në një ceremoni zyrtare, nënshkrimin e dokumentit të aplikimit, e kanë bërë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti.
Kosova muaj më parë ka aplikuar për tu bërë pjesë edhe e Këshillit të Evropës.
/Shqip.com