Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në Samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mëngjesin e sotëm, e ka pritur në takim ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Me këtë rast, është bërë dorëzimi i kopjes fizikë të ftesës së presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel për Osmanin, e cila do ta përfaqësoj Kosovën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë.
Në njoftimin e lëshuar nga presidenca, bëhet e ditur se takimi është zhvilluar me qëllim edhe të koordinimit sa më të mirë në prag të Samitit.
“Në takim u vlerësua fakti që për herë të parë, ky Samit do të mbahet pikërisht në Ballkanin Perëndimor, duke konfirmuar gatishmërinë e vendeve të BE-së për një angazhim më të madh drejt bashkëpunimit dhe partneritetit me vendet e rajonit.
Palët diskutuan po ashtu për deklaratën, e cila pritet të miratohet nga pjesëmarrësit në Samit”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Kujtojmë, se Samiti në Tiranë do të jetë i pari midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në BE.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të zotohen për mbështetje dhe përshpejtim të procesit të zgjerimit të BE-së.
/Shqip.com