Lajme

Rikthehet plani franko-gjerman, Kurti e Vuçiq së shpejti përsëri në Bruksel

Kosova dhe Serbia me ndërmjetësim të Brukselit, gjatë orëve të vona të ditës së djeshme, arritën marrëveshjë për çështjen e targave. Kjo i hapi rrugë edhe një takimi mes liderëve të dy shteteve në ditët në vazhdim.

Kështu u bë e ditur nga kryenegociatori, Besnik Bislimi, në një lidhje direkte nga Brukseli për televizionin publik të Kosovës.

“Tani zoti Borrell do t’i ftojë shumë shpejt të dy liderët që të fillojnë bisedat intensive rreth propozimit të tij dhe në mbështetje të Gjermanisë dhe Francës”, tha Besnik Bislimi.

Se një takim i nivelit të lartë do të mbahet sërish në Bruksel, e ka paralajmëruar edhe vet shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, që tha se do t’i ftojë palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm.

Kujtojmë, se në marrëveshjen e ditës së djeshme, parashihet që Kosova të pezulloj vendimin për vendosjen gjobave për makinat me targa KM dhe Serbia të pushojë së lëshuari tabelat me denominime të qyteteve të Kosovës.

/Shqip.com