Lajme

OSBE i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport

Pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit ku Lista Serbe njoftoi se janë larguar nga institucionet e Kosovës, ka ardhur edhe reagimi nga shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

Davenport u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve pas zhvillimeve të fundit.

“Integrimi i Policisë së Kosovës dhe gjyqësorit ka qenë kaq i rëndësishëm për ruajtjen dhe forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, si dhe për mbrojtjen e interesave të komuniteteve jo shumicë. Unë jam i shqetësuar nga veprimet dhe deklaratat e fundit që kërcënojnë këtë integrim, i cili është një nga përfitimet më të rëndësishme nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja dhe që ka përfituar publikun e gjerë dhe të gjitha komunitetet. U bëj thirrje të gjitha palëve që të mos lejojnë që mosmarrëveshjet për çështjet aktuale të kërcënojnë atë që është arritur në vitet e fundit. Dhe unë bëj thirrje për angazhim politik proaktiv nga Prishtina dhe Beogradi me synimin për të arritur përparim drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve të tyre” thuhet në deklaratën e shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë.

Theksojmë se gjatë ditës së sotme në pjesën veriore të vendit pritet të mbahet një protestë.

Kjo protestë vjen vetëm një ditë pasi që Lista Serbe njoftoi për largimin nga institucionet e Kosovës.

Protesta nis në ora 12:00 dhe pritet të mbahet para përmendores së “Car Llazrit”.

Kujtojmë po ashtu se gjatë ditës së djeshme, policët serbë në Veri kanë dorëzuar detyrën, duke zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës.

Kryetari i Listës Serbe dhe ministër në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim, ndërsa përfaqësuesit tjerë të serbëve dhanë dorëheqje edhe nga pozita e deputetëve, kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar qytetarët serbë ta ruajnë qetësine e sigurinë.

Sipas tij Lista Serbe është vegël e presidentit Vuçiq, që e kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Rakiq tha se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Qeveria e Kosovës  të tërheqë vendimin për tabelat dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme

/Shqip.com