Lajme

Osmani fton organet e rendit për zbardhjen e vrasjes në Pejë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për vrasjen e dyfishtë që ndodhi të mërkurën mbrëma në qytetin e Pejës, ku të vdekur mbetën dy zyrtare të Partisë Demokratike të Kosovës.

Fjala është për kandidatin e kësaj partie për kryetar të Komunës së Pejës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijajt, ish-kandidat për Kryetar të Komunës së Deçanit më 2017. Një tjetër u plagos, dhe dyshohet se është vëllai i Ademajt, i cili edhe u arrestua.

Lexo edhe:
Muhaxheri për vrasjen në Pejë: Ndodhi për shkak të një konflikti

Me këtë rast, Osmani ka kërkuar nga organet e rendit që të punojnë intensivisht në zbardhjen e vrasjes.

 “Me trishtim e mora lajmin për ngjarjen e sontme tragjike në Pejë, në të cilën humbi jetën një kandidat i PDK-së për kryetar të Pejës dhe ish-kandidat për kryetar të Deçanit. Ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe PDK–së! Të lënduarit, i dëshiroj shërim të shpejtë! Ftoj organet e rendit për zbardhje të rastit të kësaj vrasje të dyfishtë!”, thuhet në mesazhin e presidentes.

Lidhur me rastin kanë reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, nga PDK-ja dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku./SHQIP.com