Nuk kalon Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur të kalojnë Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore
Arsye për këtë ishte mungesa e kuorumit. Në sallë ishin 79 deputetë, por vetëm 58 morën pjesë në votim.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka prezantuar projektligjin para deputetëve.
“Drithërat, mielli, buka, orizi, pastat, gruri, vaji ushqimor, qumështi, kripa e kuzhinës, vezët pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, lëndët e drurit për djegie”, janë produktet që pritet t’u vendoset çmimi tavan, nëse aprovohet si projektligj në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ky projektligj i ardhur sot në Kuvend është jokushtetues dhe mungesë e njohurive elementare.
Ndërsa sipas të parit të LDK-së, prej kohës që ka ardhur në pushtet Qeveria Kurti, inflacioni në Kosovë është rreth 20 për qind.
Edhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka deklaruar se projektligji tejkalon përmasat e një ligji qëllim mirë por shtoi se gjithashtu mund të përdoret edhe kundër bizneseve për mënyrën e ruajtjes së konkurrencës.
“Ky draft ligj tejkalon edhe përmasat e një ligji qëllim mirë dhe lë hapësirë zëmadhe që ky ligj mund të kthehet në dëm apo edhe mund te përdoret në situata të caktuara kundër bizneseve për mënyrën dhe ruajtjen e konkurrencës”, deklaroi ai.
Në anën tjetër, Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore i propozuar nga Qeveria është në kundërshtim me Kushtetutën dhe dëmton rëndë tregun e lirë.
Kryetari Konjufca ka thënë se Kuvendi do të rikthehet edhe njëherë në ora 15:00 për të votuar lidhur me këtë projektligj.
/Shqip.com