Lajme

Opozita kundërshton Projektligjin për masat ndaj produkteve esenciale

Kuvendi i Kosovës

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, po shqyrtohet projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka prezantuar projektligjin para deputetëve.

“Drithërat, mielli, buka, orizi, pastat, gruri, vaji ushqimor, qumështi, kripa e kuzhinës, vezët pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, lëndët e drurit për djegie”, janë produktet që pritet t’u vendoset çmimi tavan, nëse aprovohet si projektligj në Kuvendin e Kosovës.

Por ky propozim nuk e ka gjetur mirëkuptimin e opozitës në Kuvend, njëherit është kundërshtuar fuqishëm përmes përfaqësuesve të tyre.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ky projektligj i ardhur sot në Kuvend është jokushtetues dhe mungesë e njohurive elementare.

Sipas tij nuk është problem çmimi i produkteve, por TVSH-ja prej 18 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosoves në këto produkte.

Ndërsa sipas të parit të LDK-së, prej kohës që ka ardhur në pushtet Qeveria Kurti, inflacioni në Kosovë është rreth 20 për qind.

Edhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka deklaruar se projektligji tejkalon përmasat e një ligji qëllim mirë por shtoi se gjithashtu mund të përdoret edhe kundër bizneseve për mënyrën e ruajtjes së konkurrencës.

“Ky draft ligj tejkalon edhe përmasat e një ligji qëllim mirë dhe lë hapësirë zëmadhe që ky ligj mund të kthehet në dëm apo edhe mund tëpërdoret në situata të caktuara kundër  bizneseve për mënyrën dhe ruajtjen e konkurrencës”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore i propozuar nga Qeveria është në kundërshtim me Kushtetutën dhe dëmton rëndë tregun e lirë.

“Ne si AAK kemi kërkuar dhe jemi më shumë për largimin e TVSH-së për produktet bazë sesa për këtë projektligj. Këtë projektligj nuk do ta përkrahim në parim. Ne do ta përkrahim vetëm atëherë kur bëhen ndryshime rrënjësore. Ne do të votojmë kundër sepse ministrja nuk na ka bindur se shkon në favor të qytetarëve por e dëmton rëndë tregun e lirë”, ka thënë ai.


Seanca e Kuvendit është duke vazhduar punimet, ku po diskutohet ashpër rreth këtij projekligji të propozuar nga ministrja Hajdari.

Në njëren prej replikave deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, iu drejtua ministrit Murati se ky i fundit ka mungesë elementare të njohurive në matematikë.

/Shqip.com