Sport Shqiptar

Prishtina bie dakord me FFK-n: Ndeshja me Dukagjinin luhet në “Fadil Vokrri”, për përballjet e tjera do të ketë takime

Prishtina ka rënë dakord me Federatën e Futbollit të Kosovës që ndeshja me Dukagjinin të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

FFK një javë më parë kërkoi që skuadra nga Kryeqyteti të mos i zhvilloj ndeshjet në këtë stadium.

Me një gjë të tillë nuk u pajtua Prishtina, prandaj edhe ndeshja me Trepçën 89 u shty.

Megjithatë Drejtori i Klubit të Prishtinës, Artan Osmani, për Shqip.com e ka konfirmuar se me Dukagjinin do të luajnë në stadium.

“Jemi marrë vesh me Federatën e Futbollit për ndeshjen me Dukagjinin. Nuk patëm paqartësi, ram dakord për orarin, pasi kanë pas edhe ata lëvizje të orarit. Tani komisioni i FFK-s u pajtua. Ne kemi treguar edhe më herët se jo vetëm këtë ndeshje, por edhe të tjerat do t’i luajmë në shtëpi. Nuk ka arsyeja për mos me kanë ashtu, besoj që edhe Federata do të reflektoj dhe e shohin që nuk kemi zgjidhje tjetër”, tha ai.

Në po të njëjtën ditë në “Fadil Vokrri” do të luhen ndeshjet e kualifikimeve për Kampionatit Botëror U17.

Osmani po ashtu ka shtuar se do të ketë një takim për të diskutuar hapin e radhës.

“Pas ndeshjeve me Dukagjinin, me që përfundojnë edhe ndeshjet e kombëtares është e domosdoshme mu taku, tri palët Federata, Prishtina dhe Komuna. Do të mundohemi të bëjmë një plan se si të vazhdojmë përpara. Kërkesa jonë do të jetë të luajmë në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe t’i përdorim hapësirat që i kemi pas gjithmonë, nuk kemi ndonjë kërkesë tjetër”.

Takimin që pritet të ndodh këtë javë për Shqip.com e ka konfirmuar edhe Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Granit Rugova.

Ndeshja ndërmjet Prishtinës e Dukagjinit zhvillohet të shtunën./Shqip.com

/Shqip.com