Lajme

Ish-këshilltari i Kurtit paditë Nagavcin, paralajmëron edhe kallëzim penal

Ish-këshilltari i kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, Durim Berisha ka ngritur padi ndaj ministres së Ministrisë së Arsimit, Arbërie Nagavcit.

Përmes një njoftimi në Facebook, Berisha tha se ushtrimi i padisë ndaj Nagavcit është për shkak të heshtjes administrative.

“Sot përmes avokatit Dardan Hakiu kam ushtruar padi administrative kundër Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për shkak te heshtjes administrative. Mbesim me shprese se gjykata kompetente do ta trajtoje objektivisht padinë e dorëzuar”, shkroi Berisha.

Megjithatë, Berisha do të bëjë edhe kallëzim penal ndaj Nagavcit për mos përmbushjen e detyrimeve ligjore.

“Ndërsa për mos përmbushjen e detyrimeve ligjore nga ana e ministres, pra anulimin formal te nenit 3 paragrafi 1.13 te UA nr. 06/2014 do t’i drejtohem Prokurorisë së Shtetit me kallëzim penal”.

Juristi i kërkon Nagavcit anulimin e nenit që ndalon bartjen e shamive në shkolla – SHQIP.com

Udhëzimi administrativ që ndalon bartjen e uniformave fetare në shkolla publike është miratuar në vitin 2014.

Meqenëse ky udhëzim është ende në fuqi, juristi dhe ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, kishte dërguar një kërkesë drejt Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, ku ka kërkuar anulimin e nenit të udhëzimit që ndalon bartjen e shamive.

“Para dy ditëve i kam dërguar ministres së Arsimit znj. Arbërie Nagavci kërkesën për anulimin formal të nenit 3 paragrafi 1.13 të Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014. Ajo dispozitë e cila në vitet e fundit ka shkaktuar shpesh debat e përplasje publike, është dispozitë juridike absolutisht e pavlefshme, sepse liritë dhe të drejtat themelore nuk mund të kufizohen me akt nënligjor, por vetëm me ligj parlamentar. Por edhe ai kufizim nuk guxon të prekë esencën e lirisë dhe të drejtës themelore të garantuar”, kishte thënë Berisha për Shqip.com.

Në kërkesën e tij thuhej se ky nen paraqet shkelje të lirive dhe të drejtave themelore të njeirut, për këtë arsye sipas tij, një akt i paligjshëm duhet të anulohet që të kthehet ligjshmëria në vend.

Ai kishte thënë që sipas ligjit, ministria ka afat 45 ditë për të shqyrtuar kërkesën.

“Në rast se e njëjta nuk aprovohet brenda këtij afati, do t’i ushtroj mjetetet juridike për të realizuar këtë të drejtë. Po ashtu, do t’i kërkoj brenda javës edhe Avokatit të Popullit që në përputhje me kompetencat e tij, t’i adresohet ministrisë me kërkesë për evitim të kësaj dispozitë pakushtetuese dhe të paligjshme”, shtoi tutje ai.

Ndër të tjera ai kishe paralajmëruar se nëse nuk marrin përgjigje pozitive nga ministria do te ushtrojnë padi te konfliktit administrativ, ashtu si e parasheh ligji./Shqip.com