Lajme

Juristi i kërkon Nagavcit anulimin e nenit që ndalon bartjen e shamive në shkolla

Ndalimi i bartjes së uniformave fetare në shkolla publike është një çështje që kohëve të fundit ka hapur shumë diskutime.

Udhëzimi adiministrativ që ndalon bartjen e uniformave fetare në shkolla publike është miratuar në vitin 2014.

Meqenëse ky udhëzim është ende në fuqi, juristi dhe ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, ka dërguar një kërkesë drejt Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, ku ka kërkuar anulimin e nenit të udhëzimit që ndalon bartjen e shamive.

“Para dy ditëve i kam dërguar ministres së Arsimit znj. Arbërie Nagavci kërkesën për anulimin formal të nenit 3 paragrafi 1.13 të Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014. Ajo dispozitë e cila në vitet e fundit ka shkaktuar shpesh debat e përplasje publike, është dispozitë juridike absolutisht e pavlefshme, sepse liritë dhe të drejtat themelore nuk mund të kufizohen me akt nënligjor, por vetëm me ligj parlamentar. Por edhe ai kufizim nuk guxon të prekë esencën e lirisë dhe të drejtës themelore të garantuar”, tha Berisha për Shqip.com.

Në kërkesën e tij thuhet se ky nen paraqet shkelje të lirive dhe të drejtave themelore të njeirut, për këtë arsye sipas tij, një akt i paligjshëm duhet të anulohet që të kthehet ligjshmëria në vend.

Ai thotë që sipas ligjit, ministria ka afat 45 ditë për të shqyrtuar kërkesën.

“Në rast se e njëjta nuk aprovohet brenda këtij afati, do t’i ushtroj mjetetet juridike për të realizuar këtë të drejtë. Po ashtu, do t’i kërkoj brenda javës edhe Avokatit të Popullit që në përputhje me kompetencat e tij, t’i adresohet ministrisë me kërkesë për evitim të kësaj dispozitë pakushtetuese dhe të paligjshme”, shtoi tutje ai.

Ndër të tjera ai tha se nëse nuk marrin përgjigje pozitive nga ministria do te ushtrojnë padi te konfliktit administrativ, ashtu si e parasheh ligji./Shqip.com