SHBA-ja dënon sulmin e Iranit ndaj Shqipërisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dënuar sulmin kibernetikë të Iranit ndaj Shqipërisë.
Në një reagim zyrtar, administrata e SHBA-së ka thënë se i bashkohen thirrjes së kryeministrit shqiptar që Irani të mbajë përgjegjësi për veprimet e tyre.
“Shtetet e bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër sulmin kibernetikë të Iranit kundër aleatit tonë të NATO-s, Shqipërinë. Ne i bashkohemi thirrjes së kryeministrit Edi Rama që Irani të mbahet përgjegjës për këtë incident të paprecedentë kibernetikë.”, thuhet në reagimin e tyre.
Shtëpia e bardhë ka paralajmëruar edhe veprime të tjera për Iranin pas kërcënimit të sigurisë së aleatit të saj.
“SHBA-të do të ndërmarrin veprime të tjera për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e aleatëve të SHBA-së dhe që vendosin një precedent shqetësues për hapësirën kibernetike”, thuhet në deklaratë.

Në komunikatën e tyre, përmendet se ka disa javë që SHBA-ja është duke punuar me Shqipërinë për të zbuluar se kush qëndron mbrapa sulmit të 15 korrik dhe se kanë gjetur prova se mbrapa këtij sulmi kibernetikë është Qeveria e Iranit.
Shqipëria me 15 korrik ka përjetuar sulmin më të madh kibernetikë në historinë e saj, i cili paralizoi të gjitha faqet qeveritare, përfshirë platformën e shërbimeve online e-Albania, përmes së cilës qytetarët pajisen me shumicën e dokumenteve.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një video live sot ka njoftuar se Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit si shkak i sulmeve kibernetike që Irani ka kryer mbi Qeverinë Shqiptare gjatë korrikut.
Madje, Qeveria i ka dërguar notë zyrtare Ambasadës së Iranit duke i kërkuar largimin nga vendi brenda 24-orëve./Shqip.com