Filmi dokumentar “Ferdonija” shfaqet sot në Bibliotekën Kombëtare

Në kuadër të “Javës së Bibliotekës”, po zhvillohen aktivitete kulturore në ambientet e Bibliotekës Kombëtare.
Sot prej orës 20:00 do të shfaqet edhe filmi dokumentar “Ferdonija”.
Filmi rrëfen përjetimet e Ferdonijes, gruas që ju zhduk burri dhe djemtë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Dokumentari është i shkruar, drejtuar dhe prodhuar nga Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti.

Ai tregon emocionet, mendimet, vështirësitë dhe vuajtjet e Ferdonijes të reflektuara nga realiteti i zhdukjes së gjithë familjes së saj nga forcat serbe.
Edicioni i 19-të i “Javës së Bibliotekës”, ka temë “Dokumentimi i kulturës së emigracionit – koleksionet e shtypura dhe digjitale”.
Përgjatë një jave në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të organizohen aktivitete kulturore dhe sesione shkencore mbi bibliotekarinë, historinë dhe digjitalizimin.