Lajme

Haradinaj: Bashkëndjejmë me familjarët që presin të dashurit e tyre, Kosova nuk harron

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se bashkëndjenë me familjarët që ende presin të dashurit e tyre.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se personat e zhdukur me dhunë në luftën e Kosovës do të mbesin plagë e hapur e shoqërisë

“Zemra jonë bashkëndjen me familjarët që ende presin të dashurit e tyre, si sot, kur bota kujton personat e zhdukur, ashtu edhe çdo ditë e gjithmonë, derisa të vendoset drejtësia. Ata mbesin plagë e hapur e shoqërisë sonë, i rrëmbyen vetëm pse deshën të jetojnë të lirë në dheun e të pareve”, shkroi Haradinaj.

Tutje, Haradinaj tha se Kosova nuk harron.

Kurse, ambasadori i shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier ka bërë homazhe tek obelisku i personave të zhdukur me dhunë i cili ndodhet tek Kuvendi i Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, Hovenier tha se kjo u bë për të respektuar Ditën Ndërkombëtare të Personave të zhdukur me forcë.

“I nderuar për t’u bashkuar Vjosa Osmanit, Albin Kurtit dhe familjarëve të të zhdukurve për të respektuar Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë”, shkroi Hovenier.

Tutje, ambasadori amerikan tha se ata qëndrojnë me cdo person që është në pritje të lajmit për të dashurit e tyre të zhdukur.

“Ne qëndrojmë me çdo person që është në pritje të lajmeve për të dashurit e tyre të zhdukur dhe mbetemi të përkushtuar për të kërkuar dhe gjetur të vërtetën”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Serbia që t’i hap arkivat për të zhdukurit me dhunë në luftën e fundit në Kosovë.

Për media, Kurti ka thënë se institucionet e vendit në bashkëpunim më bashkësinë ndërkombëtare duhet të shtojnë sa më shumë presionin ndaj Serbisë.

Ai ka bërë thirrje që të japin informacione të gjithë qytetarët të cilët kanë për ndonjë rast.

Gjatë ditës së sotme, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kurti kanë bërë homazhe tek obelisku i personave të zhdukur në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Osmani ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë presion Serbisë që të nënshkruaj marrëveshjen për të pagjeturit.

Sot është shënuar Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht të zhdukur figurojnë më shumë së 1600 persona./Shqip.com