Lajme

Hovenier: Qëndrojmë më personat që presin të dashurit e tyre, mbetemi të përkushtuar për të gjetur të vërtetën

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier

Ambasadori i shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier ka bërë homazhe tek obelisku i personave të zhdukur me dhunë i cili ndodhet tek Kuvendi i Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, Hovenier tha se kjo u bë për të respektuar Ditën Ndërkombëtare të Personave të zhdukur me forcë.

“I nderuar për t’u bashkuar Vjosa Osmanit, Albin Kurtit dhe familjarëve të të zhdukurve për të respektuar Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë”, shkroi Hovenier.

Tutje, ambasadori amerikan tha se ata qëndrojnë me cdo person që është në pritje të lajmit për të dashurit e tyre të zhdukur.

“Ne qëndrojmë me çdo person që është në pritje të lajmeve për të dashurit e tyre të zhdukur dhe mbetemi të përkushtuar për të kërkuar dhe gjetur të vërtetën”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Serbia që t’i hap arkivat për të zhdukurit me dhunë në luftën e fundit në Kosovë.

Për media, Kurti ka thënë se institucionet e vendit në bashkëpunim më bashkësinë ndërkombëtare duhet të shtojnë sa më shumë presionin ndaj Serbisë.

Ai ka bërë thirrje që të japin informacione të gjithë qytetarët të cilët kanë për ndonjë rast.

Gjatë ditës së sotme, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kurti kanë bërë homazhe tek obelisku i personave të zhdukur në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Osmani ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë presion Serbisë që të nënshkruaj marrëveshjen për të pagjeturit.

Sot është shënuar Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht të zhdukur figurojnë më shumë së 1600 persona./Shqip.com