Shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i “NPL Parking Prishtina”, Liridon Restelica

Sot gjatë ditës së hënë është shkarkuar kryeshefi ekzekutiv i “NPL Prishtina Parking”, Liridon Restelica.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se Restelica ka keqpërdorur pozitën dhe keqmenaxhimi i ndërmarrjes.
“Shkarkohet nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të NPL Prishtina Parking, z. Liridon Restelica. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të NPL “Prishtina Parking” ka konstatuar se veprimet e Kryeshefit Ekzekutiv, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL “Prishtina Parking””, shkroi Rama.

Ndërsa, Restelica përmes një letër publike ka thënë se nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të NPL Parking Prishtina, kishte dhënë dorëheqje.
Për këtë kishte reaguar edhe nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu e cila vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ajo ka thënë se kontrata në vlerë të 750 mijë eurove e NPL Prishtina Parking duhet të anulohet.
Përmes një postimi në Facebook, Sahatçiu ka thënë se nëse NPL thirret në faktin se është fituesi i njëjtë që ka ndërtuar aplikacionet e kaluara ka bazë të dyshohet se është lëshim i qëllimshëm.
“Kontrata 750,000 euro e NPL Prishtina Parking duhet të anulohet. Ndonëse NPL thirret në faktin se operatori ekonomik fitues është operatori i njëjtë që ka ndërtuar aplikacionet e kaluara, ka bazë të dyshohet se është lëshim i qëllimshëm duke mos e kërkuar pronësinë e kodit/pronës intelektuale në dorëzim të aplikacionit kur është ndërtuar”, shkroi Sahatçiu.
Sahatçiu tha se nuk ka bazë për vlerën e kontratës./Shqip.com