Lajme

Pas incidentit në uzinën e Gramshit, katër shtetas çekë arrestohen, fotografuan uzinën e Poliçanit

Katër shtetas çekë janë arrestuar gjatë ditës së sotme në Shqipëri pasi po filmonin në afërsi të tuneleve në Poliçan.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë.

Siç ka raportuar ABC News Ministria e Mbrojtjes, thotë se shtetasit e huaj janë konstatuar mëngjesit të sotëm tek një nga tunelet në Uzinën  e Poliçanit.

Pas konstatimit të shtetasve çek, policia ushtarake, ka izoluar hyrjet e tuneleve të cilat janë pothuajse të gjithë komunikues me njëri tjetrin dhe ka arrestuar 4 shtetasit çekë.

“Menjëherë Policia Ushtarake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë izoluar hyrjet e tuneleve të cilët janë pothuaj se të gjithë komunikues me njëri tjetrin dhe pas kërkimeve kanë ndaluar dy persona me kombësi çeke”.

Ato janë kapur në një distancë 1.5 km larg tuneleve jashtë perimetrit të rrethimit të repartit.

“Rreth orës 12:30 në distancë 1.5 km larg tuneleve jashtë perimetrit të rrethimit të repartit u konstatuan dhe shoqëruan edhe dy shtetase te kombësisë çeke, bashkëjetuese të dy shtetasve të mësipërm”.

Tutje, thuhet se personat e dyshuar janë ndaluar dhe aktualisht vazhdojnë procedurat nga autoritetet e sigurisë në Shqipëri.

Lexo edhe:
Detaje nga incidenti në Uzinën e Armëve në Gramsh që u lënduan dy ushtarë shqiptarë

33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse, dhe një tjetër i ri me pasaportë ukrainase janë arrestuar nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.

Siç raporton ABC News, Ka dyshime që ata të jenë agjentë, ndërsa në momentin që një prej tyre ka tentuar të futet në godinën ushtarake dhe ta fotografojë ka ndodhur edhe një përplasje me dy rojet ushtarake.

Të lënduar, pasi u ekspozuan ndaj një spray irritues mbetën Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka, gjendja shëndetësore e të cilëve u përmirësua më pas, pas transportimit në në Pavijonin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ka pretendime që të behët fjalë për tre blogerë, që guxuan më shumë seç duhet dhe u futën në zona të ndaluara në vend.

Lexo edhe:
Rusët që shkaktuan incidentin në uzinën në Gramsh, dyshohet se janë spiunë të GRU-së

Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit bashkë me shërbimet sekrete janë duke hetuar disa pista në lidhje me tre rusët e kapur në uzinën ushtarake të Gramshit.

Siç ka raportuar Tch, një burim pranë këtyre hetimeve i thanë gazetarit të Top Channel se me të gjitha gjasat kemi të bëjmë me një skuadër të shërbimit sekret ushtarak rus GRU (Shërbimi Sekret i ushtrisë ruse që vepron jashtë vendit) me mision të pastër spiunazhi në Shqipëri.

Të kamufluar si blogerë të tre rusët e marrë në pyetje dyshohet se janë të mirë-trajnuar për operacione spiunazhi.

Vendosja në fokus e uzinës të Gramshit nga GRU ruse, nuk është aspak e rastësishme.

Një burim nga ushtria shqiptare në kushtet e anonimatit i tha Top Channel se prej disa muajsh në këtë uzinë po zhvillohen teste për të prodhuar një fishek të kalibrit  5.56 mm.

Ky lloj municioni përdoret për automatikët M14 në përdorim nga forca tokësore e ushtrisë shqiptare dhe disa vende të NATO-s.

Ka dyshime të forta se synimi këtij grupi rus zbulimi me mision spiunazhi,  synonte të zbulonte progresin e Shqipërisë pikërisht në prodhimin e fishekut 5.56 mm.

Shërbimet inteligjente shqiptare kanë në dorë një provë të rëndësishme në këtë hetim. Makinën me të cilën kanë mbërritur rusët në Shqipëri./Shqip.com