Lajme

Peci pranon ftesën e homologes së tij sllovene për Panairin Ndërkombëtar të 60-të të Ushqimit dhe Bujqësisë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka pranuar ftesën e homologes së tij sllovene Irina Shinko për të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të 60-të të Ushqimit dhe Bujqësisë.

Përmes një postimi në Facebook, Peci tha se është takuar me Shinkon. Sipas tij ky takim ka qenë i frytshëm.

“Në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të 60-të të Ushqimit dhe Bujqësisë – AGRA që do mbahet nesër në Slloveni, pranova ftesën e homologes sllovene, Ministres Irena Shinko me c’rast realizuam një takim të frytshëm e përmbajtjesor lidhur me sektorin e bujqësisë së të dyja vendeve. Bashkëbiseduam rreth rëndësisë që sektori i bujqësisë ka për vendet tona duke theksuar edhe sfidat e sigurisë ushqimore me të cilat po përballet e gjithë bota”, shkroi Peci.

Tutje, ai tha se e ka njoftuar Shinkon për angazhimet dhe prioritetet e tij me qëllim të avancimit të sektorit si një ndër sektorët me potencial për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Ai ka thënë se e ka ftuar homologen e tij që të vizitojë Kosovën në një të ardhme të afërt.

Peci gjithashtu, ka falënderuar ministren Shinko për ftesën për mikpritjen si dhe për përkrahjen e vazhdueshme që Sllovenia i ka dhënë Kosovës në shumë sektorë, duke përfshirë këtu edhe sektorin e bujqësisë dhe pylltarisë./Shqip.com