Vetëvendosje: Kontrata e re e “Prishtina Parking” është e paligjshme

Grupi i Këshilltarëve Komunal të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka reaguar ndaj kontratës së Ndërmarrjes Publike Komunale “Prishtina Parking”, për menaxhimin e parkingjeve në kryeqytet.
Sipas anëtarëve të LVV të degës në Prishtinë, vlera e kontratës lidhur për krijimin e aplikacionit që është objekt i kontratës është disa herë më e vogël, se sa shuma e përcaktuar.
“Çështje në vete është vlera e kontratës. 750.000.00 euro është shuma e përcaktuar apo e negociuar në mes të “Prishtina Parking” dhe OE. Sipas njohësve të fushës, vlera reale e aplikacionit, që është objekt i kontratës, është shumëfish herë më e vogël.”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas tyre më e rëndësishme për qytetarët është miratimi i Rregullores se re të “Prishtina Parking” që do ta përcakton mënyrën e operimit të kësaj kompanie, se sa tenderët dhe kontratat e dyshimta që i realizon kjo ndërmarrje.

LVV-ja ka akuzuar se kjo kontratë bën që kompania “Prishtina Parking” të marrë kompetencat të cilat janë të Policisë së Kosovës.
Qendra e LVV në Prishtinë ka bërë thirrje tek organet kompetente që të fillojnë hetimet për keqpërdorim dhe abuzim të fondeve publike.
Edhe muaj më parë asamblistët e LVV, në Prishtinë kanë shprehur pakënaqësi lidhur me operimin e ndërmarrjes “Prishtina Parking”./SHQIP.com