Kurti në takime në Bruksel, Molliqaj: Ai është përcaktuar për Asociacionin
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti është i përcaktuar për Asociacionin me komuna serbe.
Ai këtë koment e ka bërë para takimit që do të këtë nesër Kurti me Vuçiqin në Bruksel dhe pas darkës që kishte sot.
Ai ka thënë se Kurti ka qenë kundërshtar i madh i ASK-së sa ka qenë në opozitë dhe madje i kishte vënë emrin serb “Zajednica” në mënyrë që ta paraqiste sa më ulët që është e mundur.
“Edhe paqe mes popujve edhe ASK nuk ka. Siç duket Kryeministri Kurti është përcaktuar për Asociacion. Organizimi shoqëror e institucional në baza etnike dëmton të ardhmen e qytetarëve pavarësisht etnisë”, shkruan Molliqaj.
“Korniza e këtij dialogu nuk ka destinacion mirëqenien e qytetarëve. Çdo marrëveshje që krijon realitet të ri në baza etnike në Kosovë është absolutisht i papranueshëm dhe do të kundërshtohet”, shtoi ai.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq, nesër, 18 gusht, do të takohen me përfaqësues të BE-së dhe ShBA-së në kuadër të dialogut. /SHQIP.com