Stoltenberg, Vuçiqit: Do të ndërmarrim çdo masë për ta siguruar paqen në Kosovë
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg është takuar sot me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Stoltenberg ka thënë NATO do të ndërmarrë çdo masë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë.
Ai po ashtu ka bërë thirrje për palët që t’i ulin tensionet.
“U bëj thirrje të gjitha palëve që t’i ulin tensionet. KFOR do të marrë çdo masë të nevojshme në mënyrë që të sigurojë paqen, sigurinë dhe lëvizjen e të gjithë qytetarëve në Kosovë”.
Tutje ai ka ikorajuar të gjitha palët që të angazhohen dhe të tregojnë fleksibilitet.
Ai ka thënë se nëse rrezikohet stabiliteti, KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë.
“NATO vazhdon të monitorojë nga afër situatën në terren. Misioni ynë paqeruajtës i KFOR-it mbetet i fokusuar në mandatin e tij në OKB. Nëse rrezikohet stabiliteti, KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë dhe do të marrë çdo masë që është e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës”.
Me sekretarin Stoltenberg më vonë do të takohet edhe kryeministri, Albin Kurti, ku pas takimit pritet të dalin në konferencën e paralajmëruar.
Takimi mbahet një ditë para atij të Brukselit, ku do të ballafaqohen kryeministri Albin Kurti si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq./SHQIP.com