Lajme

I vazhdohet paraburimi nga Gjykata në Kroaci, autoritetet kosovare të gatshme për asistim

Shoferi kosovar i autobusit që u aksidentua më 25 korrik në Slavonski Brod të Kroacisë, e ku mbetën të vdekur 10 persona, do të jetë në paraburgim edhe për dy muaj.

Se të dyshuarit për këtë aksident të rëndë trafiku i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë, e ka bërë të ditur avokati i tij, Igor Cisper, i cili tha se vendimi është marrë nga gjykata për shkak të mundësisë së arratisjes së të dyshuarit, shkruan “24 Sata”, përcjellë Shqip.com.

Cisper tha se gjykatës i është ofruar një shumë pej 15 mijë eurosh, mirëpo nuk është pranuar kjo shumë. Ai më tej njoftoi se klienti i tij flet me familjen çdo ditë, por nuk po ndihet mirë.

“Ne ofruam garanci prej 100,000 kuna (13,300 euro) por gjykata nuk e pranoi shumën. Klienti im bisedon me familjen e tij në Kosovë çdo ditë, por nuk është aspak të mirë”, tha ai.

I njëjti tha se janë në pritje të një ekspertize të trafikut, në mënyrë që të vërtetohen më tutje faktet.

Shqip.com ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Drejtësisë lidhur me rastin, për të kuptuar nëse ky dikaster ka pranuar nga autoritetet kroate ndonjë letërporosi që rasti të gjykohet në Kosovë, por të njëjtët thonë se rasti është në juridiksionin e autoriteteve kompetente kroate pasi rasti ka ndodhur në territorin e Republikës së Kroacisë.

Në autostradën e Slavonski Brodit, autobusi që po vinte nga Gjermania dhe destinacion kishte Kosovën, pësoi vetaksident, ku mbetën të vdekur 10 kosovarë dhe 45 prej tyre pësuan lëndime trupore.

Më tej kjo ministri sqaron se organet gjyqësore të Kosovës në këtë rast mund t’i asistojnë atyre të Kroacisë, nëse parashtrohet ndonjë kërkesë për intervistim të dëshmitarëve, apo kërkesë tjetër për ndihmë juridike.

“Rasti ka ndodhur në territorin e Republikës së Kroacisë, personi ndaj të cilit zhvillohet procedura ndodhet atje, andaj rasti është në juridiksionin e autoriteteve kompetente kroate dhe organet tona gjyqësore mund t’i asistojnë nëse parashtrohet ndonjë kërkesë për intervistimin e dëshmitareve ose kërkesë tjetër për ndihmë juridike”, ka thënë zyra për komunikim e MD-së në një përgjigje me shkrim për redaksinë.

Në autostradën e Slavonski Brodit, autobusi që po vinte nga Gjermania dhe destinacion kishte Kosovën, pësoi vetaksident, ku mbetën të vdekur 10 udhëtarë, duke përfshirë edhe një nga dy shoferët e autobusit, ndërsa 45 të tjerë pësuan lëndime trupore. /Shqip.com