Lajme

Buzhala: Nuk ka afat se sa do të zgjasin reduktimet e rrymës në vend

Reduktimet e energjisë elektrike do të zgjasin derisa Qeveria ta subvencionoj atë.

Kështu është shprehur zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, i cili gjatë një konference për media tha se nuk kanë para për të importuar rrymë.

Si rezultat, Buzhala tha se e gjithë kërkesa për energji është duke u mbuluar nga prodhimi i brendshëm.

“Jemi duke vazhduar totalisht nga prodhimi vendor, dy blloqe janë në remont deri në fund të gushtit, kthimi do ta përmirësonte situatën djeshëm. 80 deri 90 për qind e kërkesës është duke u siguruar nga prodhimi i brendshëm, ka reduktime minimale. Kufizimet janë të pashmangshme pasi sistemi energjetik i Kosovës është jashtëzakonisht i rëndë”.

Derisa Qeveria nuk po subvencionon energjinë elektrike, në berëz çmimi është rritur ndjeshëm.

Buzhala thotë se në korrik çmimi për MW ka arritur rekordin prej 700 euro.

“Gjysmën e korrikut ka mbërri 700 euro për MW, është thyer rekordi i çmimit të energjisë elektrike në pikë të verës, katër apo pesë fish më shumë se vitin e kaluar. Kërkesa është për 600 deri 700 MW/h ndërsa prodhimi 500 MW/h maksimumi. Diferenca është e madhe dhe nëse blihet ajo pjesë kushton 1 milion euro në ditë”, tha tutje Buzhala.

Reduktimet e para kanë filluar gjatë së hënës me 6 orë me energji dhe dy orë pa të. /Shqip.com