Lajme

Kurti: Barrikadat në veri nuk vijnë nga poshtë por nga lart

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se barrikadat që u vendosen në veri më 31 korrik për t’i kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës nuk vijnë nga poshtë por vendosen nga lart.

Kurti tha se për dokumentin që lëshohet në pikat kufitare në veri, në kuadër të vendimit për reciprocitet për dokumente, nuk do të duhet të bëhet pagesë.

“Kam dëgjuar për lajmin e rremë se ID-të do të konfiskohen në veri në këmbim për dokumentin për hyrje – dalje. Kjo nuk është e vërtetë. Dokumenti është shtesë që jepet pa pagesë. Ju bëjë thirrje që të përcjellni me vëmendje njoftimet nga Qeveria e jonë dhe organet bartëse. Ne e dimë që barrikadat që rëndom vendosen në veri nuk vijnë nga poshtë por vendosen nga lart. Ato as nuk ju përfaqësojnë juve qytetarë tanë e as nuk ju mbrojnë ju, kurse në anën tjetër Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë edhe përbëhen nga qytetarë tanë pa dallim edhe janë në shërbim të qytetarëve tanë pa dallim”, tha ai.

Qeveria në mbledhjen e së mërkurës ka miratuar edhe anëtarët e bordeve të disa ndërmarrjeve publike në Kosovë.

Theksojmë se për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, i cili do hynte në fuqi më 1 gusht, serbët lokalë në Kosovë, më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Barrikada rrugës për në Bërnjak

Ata kishin vendosur kamionë dhe makineri tjera të rënda.

Në veri të vendit kishte ngritje të tensioneve ku pati edhe të shtëna me armë zjarri.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, në mbrëmjen e 31 korrikut pati zhvilluar një takim me përfaqësues të SHBA-së dhe BE-së.

Me kërkesë të tyre, Qeveria vendosi të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.

Lexo edhe:
Largohen të gjitha barrikadat, hapen rrugët për Jarinjë dhe Bërnjak

Ndërsa, më 1 gusht, Qeveria nisi zbatimin e vendimit.

Pas heqjes së barrikadave, pasditen e 1 gushtit Qeveria ndaloi së zbatuari masën e reciprocitetit me Serbinë./Shqip.com