Murati: Nuk ka bllokadë nga Qeveria për projekte, ne nuk financojmë lista të dëshirave të kryetarëve të komunave
Ministri i Financave, Punës dhe Tranferëve Hekuran Murati, ka thënë se nuk ka bllokad nga niveli qendrorë për financimin e projekteve në komunat e Kosovës.
Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, Murati tha se listat e dëshirave që kanë kryetarët e komunave nuk mund të financohen nga Qeveria.
“Nuk ka bllokadë nga niveli qendror, përkundrazi ne kërkojmë nga ta që t’i kryejnë sa më shpejt që të jetë i mundur. Nëse bëhet fjalë për çështje të tjera, për lista dëshirash që mund t’i kenë kryetarët e komunave dhe kërkojnë që pushteti qendror t’ua financojë dhe nëse kjo praktikë ka ekzistuar në të kaluarën, ne kemi thënë që kjo praktikë me këtë qeveri nuk mund të ekzistojë. Pra, të gjitha komunat do të trajtohen sipas peshës që e kanë, barabartë”, tha Murati.
Murati tha se ka përfunduar praktika kur ka pasë mbështetje shtesë nga niveli qendror për komunat ku në udhëheqje kanë qenë kryetarë nga partia në pushtet.
“Te ne s’ndodh, trajtohen barabartë”.

Kjo deklaratë e Muratit erdhi pasi u akuzua nga deputetët e opozitë se niveli qendror nuk është duke i trajtuar barabartë komunat me të cilat nuk udhëheq Vetëvendosja.
Dje, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se projekti i vetëm i nivelit qendror për sigurimin e ujit të pijes për qytetarët e Komunës së Skenderajt është bllokuar.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se është e pakuptimit që Qeveria e Kosovës të bllokojë investimet kapitale në komuna.
“Por, është e pakuptimtë se si Qeveria e Kosovës po i bllokon investimet kapitale në komuna, duke i diskriminuar qytetarët e vendit tonë. Projekti i vetëm i nivelit qendror, që ka qenë në procedurat buxhetore të këtij viti për sigurimin e ujit të pijes për qytetarët e Komunës së Skenderajt, është bllokuar nga qeveria qendrore”, shkroi Krasniqi.
Ai ka thënë se ky diskriminim duhet të marrë fund sa më shpejtë.
Sot, gjatë ditës së mërkurë, Krasniqi ka vizituar Komunën e Skenderajt, ku është informuar nga kryetari i kësaj komune për zhvillimet fundit.
Krasniqi tha se të gjitha zhvillimet në këtë komunë janë me financim vetanak.
“Pamje e re dhe moderne për sheshin e qytetit në Skenderaj. Parking nëntokësor, park në qendër të qytetit, rivitalizim i të gjitha shesheve kryesore dhe rrugëve të Skenderajt, me buxhet tërësisht vetanak të komunës dhe pa asnjë mbështetje nga qeveria aktuale qendrore. Në këto dhe shumë projekte të tjera e gjetëm të angazhuar kryetarin e Skenderajt, Fadil Nurën me ekipin e tij, në vizitën që kishim sot”.
Tutje, Krasniqi tha se si kryetar dhe si Parti, ne do të është afër në secilin hap të Nurës që ai do të ndërmarr në avancimin e qeverisjes lokale me fokus te qytetarët./Shqip.com