Lajme

Krasniqi: Projekti për sigurimin e ujit të pijes për qytetarët e Skenderajt është bllokuar nga Qeveria

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se projekti i vetëm i nivelit qendror për sigurimin e ujit të pijes për qytetarët e Komunës së Skenderajt është bllokuar.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se është e pakuptimit që Qeveria e Kosovës të bllokojë investimet kapitale në komuna.

“Por, është e pakuptimtë se si Qeveria e Kosovës po i bllokon investimet kapitale në komuna, duke i diskriminuar qytetarët e vendit tonë. Projekti i vetëm i nivelit qendror, që ka qenë në procedurat buxhetore të këtij viti për sigurimin e ujit të pijes për qytetarët e Komunës së Skenderajt, është bllokuar nga qeveria qendrore”, shkroi Krasniqi.

Ai ka thënë se ky diskriminim duhet të marrë fund sa më shpejtë.

Sot, gjatë ditës së mërkurë, Krasniqi ka vizituar Komunën e Skenderajt, ku është informuar nga kryetari i kësaj komune për zhvillimet  fundit.

Krasniqi tha se të gjitha zhvillimet në këtë komunë janë me financim vetanak.

“Pamje e re dhe moderne për sheshin e qytetit në Skenderaj. Parking nëntokësor, park në qendër të qytetit, rivitalizim i të gjitha shesheve kryesore dhe rrugëve të Skenderajt, me buxhet tërësisht vetanak të komunës dhe pa asnjë mbështetje nga qeveria aktuale qendrore. Në këto dhe shumë projekte të tjera e gjetëm të angazhuar kryetarin e Skenderajt, Fadil Nurën me ekipin e tij, në vizitën që kishim sot”.

Tutje, Krasniqi tha se si kryetar dhe si Parti, ne do të është afër në secilin hap të Nurës që ai do të ndërmarr në avancimin e qeverisjes lokale me fokus te qytetarët./Shqip.com