S’ka tavan, këto janë çmimet e derivateve të naftës për sot

Për një muaj rresht Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka përcaktuar një çmim të njëjtë për furnizim me derivate në të gjithë territorin e Kosovës.
“Çmimi tavan”, ishte zgjidhja që Qeveria vendosi të bëjë në mënyrë që të ketë ulje të çmimeve ekstreme me të cilat po furnizoheshin kosovarët me derivate.
E nga sot, MINT nuk do të vendos çmim tavan.
Kjo pasi, rregullorja që ishte vendosur nga Qeveria ishte në fuqi vetëm për 30 ditë.
Shqip.com ka vizituar pompat e derivateve për të vrojtuar çmimet e derivateve të naftës ku vërehet se nuk ka luhatje të çmimeve.
Aktualisht, çmimi i naftës është 1 euro e 69 cent ndërsa benzina 1 euro e 53 cent derisa çmimi i gazit vazhdon të jetë 0.78 cent.






Qeveria e Kosovës kishte miratuar një udhëzim administrativ me të cilin përcaktohej çmimi maksimal i lejuar për derivatet e naftës.
Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari kishte deklaruar se ka mospërputhje të çmimeve në Kosovë me lëvizjet në tregjet botërore.
Për këtë ka thënë se do të caktohet menjëherë çmimi maksimal i lejuar.
Sipas rregullores, fitimi është 12 centë për shitjet me pakicë, ndërsa 2 centë për shitjet me shumicë.
Ndërsa në anën tjetër, Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës kishte kundërshtuar këtë vendim duke thënë se “Qeveria ka bërë kalkulim të gabuar”.
Madje, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres të MINT, Rozeta Hajdari i kishin dërguar një letër ku i ftonin në takim për të diskutuar për rregulloren.
Ky takim, nuk u mbajt asnjëherë./Shqip.com