Lajme

Nga sot, MINT nuk do të caktoj çmim të ri të derivateve të naftës

Ilustrim

Nga sot nuk do të ketë përcaktim të çmimit të derivateve të naftës nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Kjo pasi, rregullorja që ishte vendosur nga Qeveria e Kosovës ishte në fuqi vetëm për 30 ditë.

Qeveria e Kosovës kishte miratuar një udhëzim administrativ me të cilin përcaktohej çmimi maksimal i lejuar për derivatet e naftës.

Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari kishte deklaruar se ka mospërputhje të çmimeve në Kosovë me lëvizjet në tregjet botërore.

Për këtë ka thënë se do të caktohet menjëherë çmimi maksimal i lejuar.

Ilustrim

“Udhëzimi administrativ bëhet me qëllim që të mbrohet konsumatori dhe konkurrenca për të mënjanuar çrregullimet në treg. Në bazë të të dhënave që posedon MINT-i, të konfirmuara me evidencë nga bizneset nga Dogana dhe ATK-ja, ka mospërshtatje të çmimeve vendore krahasuar me lëvizjet në tregun botëror. Mospërshtatja e çmimeve është një ndër shkaqet kur Qeveria mund të përcaktojë çmimin maksimal të lejuar, apo të kufizimit të marzhës tregtare. Do të jenë të bazuara në evidencat e Doganës dhe ATK-së. Me këtë udhëzim MINT-i propozon përcaktimin e menjëhershëm të çmimit maksimal të lejuar për derivatet”, ka thënë ajo.

Sipas rregullores, fitimi është 12 centë për shitjet me pakicë, ndërsa 2 centë për shitjet me shumicë.

Ndërsa në anën tjetër, Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës kishte kundërshtuar këtë vendim duke thënë se “Qeveria ka bërë kalkulim të gabuar”.

Madje, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres të MINT, Rozeta Hajdari i kishin dërguar një letër ku i ftonin në takim për të diskutuar për rregulloren.

Ky takim, nuk u mbajt asnjëherë./Shqip.com