Miratohen masat e reja antiCOVID – Kthehet ora policore, shkurtohet orari i gastronomisë
Qeveria e Kosovës ka mbajtur të shtunën mbledhjen e radhës në të cilën janë miratuar masat e reja kundër përhapjes së Coronavirusit, të cilat do të hyjnë në fuqi nga 30 gushti, njofton Shqip.com.
Disa nga masat e reja janë kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 05:00.
Gastronomisë i është kufizuar orari i punës. Ajo do të punojë vetëm në ambiente të hapura, deri në orën 21:30.
Gjatë kësaj mbledhjeje, kryeministri, Albin Kurti, u shpreh se masat kundër COVID-19 janë ndërmarrë në bazë të situatës epidemiologjike në vend.
“Tani kur situata epidemiologjike është përkeqësuar, jemi të shtrënguar të marrim masa shtrënguese, duke shtyrë vitin shkollor, duke kufizuar edhe lëvizjen e qytetarëve ”, tha Kurti.
Po ashtu, në masat e reja të miratuara është edhe shtyerja e vitit të ri shkollor deri më 13 shtator, kur edhe do të rivlerësohet situata.
Kurse, të gjithë qytetarët që do të hyjnë në Kosovë, nëpër pikat kufitare duhet të paraqesin dëshmi se nuk janë të infektuar me COVID-19./Shqip.com