Kulturë

KMDLNJ për artistin që proteston çdo ditë para Qeverisë: Është e drejtë e pamohueshme

Për pothuajse 40 ditë, aktori dhe regjisori Sokol Plakolli po proteston përballë objektit të Qeverisë së Kosovës, me pretendimin se i janë keqpërdorur pikët në konkursin publik për Udhëheqës Artistik të Teatrit Kombëtar.

Që nga fillimi i protestës, Plakolli ka vazhduar procedurat për kërkim-leje për protestën, e që sipas tij protesta po vazhdon të pengohet nga policia.

Për këtë ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, duke e vlerësuar protestën si një të drejtë të pamohueshme.

“KMDLNj mbështetë të drejtën e qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë përmes protestës dhe të njëjtën e përkrahë derisa ajo nuk është e dhunshme apo nuk cenon të drejtat e të tjerëve. Regjisori Sokol Plakolli i ka deklaruar KMDLNj -s, se protestat që i bënë janë në përputhje me ligjin dhe se Policinë e Kosovës e lajmëron me kohë andaj nuk e ka të qartë pse pengohet në realizimin e njërës ndër të drejtat themelore të njeriut, e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore”, thuhet në reagimin e tyre.

Lexo edhe:
Plakolli: Jam i hapur për çdo lloj debati publik që të nxirren në pah faktet për vjedhjen e pikëve

Gjithashtu, KMDLNj i bënë thirrje Policisë së Kosovës që artistit t’i lejohet e drejta e tij për mbajtje të protestës për aq kohë sa nuk paraqet rrezik apo cenim për punonjësit e institucioneve qeveritare apo qytetarëve të tjerë kalimtarë.

Plakolli, në një deklaratë për Shqip.com kishte sqaruar edhe pretendimet e tij rreth padrejtësisë së bërë gjatë vlerësimit pikët gjatë testimit nga komisioni.

“Ky komision në vendimin që ka marrë ka nxjerrë në pah se të paktën në tri prej përgjigjeve të mia të sakta Këshilli Drejtues i TKK-së ka nënvlerësuar përgjigjet e sakta respektivisht  vjedhë pikët e kandidatit. Totali i pikëve në vlerësimin e parë ka qenë 48.6 poenë për vetëm një poen më pak sesa 50% ndërsa pikët e vjedhura kanë qenë të paktën 7 poenë”, tha Plakolli për Shqip.com.

Tutje, ai ka thënë se edhe pas rivlerësimit ka vazhduar prapë vjedhja e pikëve, duke e zbritur kështu kuotën në 46 poenë.

I sigurt se pikët e tij janë vjedhur, Plakolli thotë se ka ushtruar edhe kallëzim penal, dhe se ka dëshmi të mjaftueshme se pikët e tij janë vjedhur.