Kulturë Kino

Plakolli: Jam i hapur për çdo lloj debati publik që të nxirren në pah faktet për vjedhjen e pikëve

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dështuar edhe njëherë konkursin për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik të Teatrit Kombëtar.

Konkursi i rishpallur më 19 janar të këtij viti, u anulua më 24 maj.

Konkurs ky i cili u përcill me plotë ankesa, dorëheqje e padi nga kandidatët si akuzë për vjedhje pikësh e jo transparencë.

Artisti Sokol Plakolli, ka protestuar pranë Qeverisë së Kosovës, duke pretenduar se i janë vjedhur pikët gjatë testimit dhe i janë nënvlerësuar përgjigjet e sakta nga komisioni.

“Ky komision në vendimin që ka marrë ka nxjerrë në pah se të paktën në tri prej përgjigjeve të mia të sakta Këshilli Drejtues i TKK-së ka nënvlerësuar përgjigjet e sakta respektivisht  vjedhë pikët e kandidatit. Totali i pikëve në vlerësimin e parë ka qenë 48.6 poenë për vetëm një poen më pak sesa 50% ndërsa pikët e vjedhura kanë qenë të paktën 7 poenë”, tha Plakolli për Shqip.com.

Tutje, ai tha se edhe pas rivlerësimit ka vazhduar prapë vjedhja e pikëve, duke e zbritur kështu kuotën në 46 poenë.

Artisti theksoi se KD i TKK- së ka vazhduar me rekrutim dhe kujtoi se në marrëveshje me kandidatin e tyre të përzgjedhur paraprakisht, për të shpëtuar nga krimi që kanë bërë e kanë realizuar planin e anulimit të konkursit.

Sipas tij, kjo po bëhet për të demotivuar të tërhiqet nga konkursi për të cilin thotë se ka aplikuar për të pestën herë.

“Individëve dhe grupacioneve të caktuara nuk ju konvenon ardhja ime në këtë pozitë ngase ata e dinë se më në Teatër nuk mundë të ketë shfaqje +18, shfaqje me gjuhë banale e lakuriqësi të pa arsyetuar, nuk mundë të ketë më teatër të OJQ ve që bashkëpunojnë me dhe më të mirë të Beogradit andaj po përdorin format dhe mjetet më brutale deri më vjedhje të pikëve”, shtoi ai.

I sigurt se pikët e tij janë vjedhur, Plakolli thotë se ka ushtruar edhe kallëzim penal, dhe se ka dëshmi të mjaftueshme se pikët e tij janë vjedhur.

E këtë, ai shtoi se nuk do ta lë të drejtë  ligjore pa përdorur për të nxjerrë në pah atë që ka ndodhur.

Tutje, ai tha se është i hapur edhe për debat publik që të nxirren fakte për vjedhjen e pikëve, për të cilat ai po pretendon se i ka hiç më pak se 86 poenë në test me shkrim.

Në garë për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik të TKK-së, përveç Sokol Plakollit, kishin konkurruar edhe Arta Muçaj, Elhame Kutllovci, Saranda Elshani dhe Erson Zymberi.

Mirëpo Kutllovci e Elshani nuk morën pjesë në testim.

Kutllovci, për Shqip.com kishte thënë se është tërhequr zyrtarisht nga konkursi, sepse sipas saj ka qenë një garë ku qysh në fillim i dihej rezultati.

Kurse, regjisori Erson Zymberi ishte kandidati i vetëm i cili ka arritur pikët e nevojshme për test me shkrim mbi 50% , por që ka njoftuar për tërheqjen nga konkursi.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është njoftuar zyrtarisht nga kandidati në fjalë se tërheqja e tij është bërë për arsye personale. Ne nuk kemi konstatuar asnjë shkak të tjetër objektiv apo ligjor për këtë vendim të kandidatit i cili është në vullnetin e tij/saj që të vazhdojë apo jo me fazat e konkurimit për këtë pozitë”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së për Shqip.com.

Tutje, MKRS, tha se procedurat e rekrutimit për pozitën në fjalë do të zhvillohen brenda afateve dhe dispozitave ligjore./Shqip.com