Suspendohet Kryeprokurori i Gjakovës që dyshohet se shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë

Kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala është suspenduar nga detyra.
Vedimi është marrë më kërkesë të U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi, Jetish Maloku të cilët kanë mbajtur sot takim urgjent për të diskutuar lidhur me rastin që kryeprokurori dyshohet se ka dërguar pyetjet e testit gabimisht gazetarës.
Siç thuhet tutje në njoftim gjatë këtij takimi, Këshilli Prokurorial ka themeluar panelin hetimor për zhvillimin e procedurës disiplinore ndaj Kryeprokurorit Buzhala.
Pas suspendimit të Kryeprokurori Buzhala, Këshilli Prokurorial ka marr vendim për caktimin e prokurorit, Enis Gashi, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës.
Po ashtu, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, pas anulimit të konkursit ka filluar procedurën disiplinore ndaj anëtarëve të komisionit përzgjedhës të shërbimit civil për zhvillimin e procedurës së rekrutimit, për pozitën Bashkëpunëtorë profesional për Prokuroritë Themelore në Gjakovë, Prizren dhe Pejë.
Ndryshe Buzhalla dyshohet se ka shpërndarë pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë.
Ai i drejtohet dikujt se “këto janë pyetjet e testit me shkrim. Shiko shfrytëzoje kohën deri në orën 13:00”.
Siç raporton Kallxo.com, ai këto pyetje ia ka dërguar gazetares së tyre, Adelina Ahmeti duke shkruar “këto janë pyetjet e testit me shkrim”.
Pyetjet kanë qenë për testin me shkrim për bashkëpunëtor profesionalë, test i cili është mbajtur gjatë ditës së sotme brënda objektit të ish-Rilindjes, ku është edhe Ministria e Drejtësisë.
Kryeprokurori Buzhala pasi dërgoi pyetjet dhe udhëzimin se ka kohë deri në orën 13:00, tutje ai vazhdon të thërras në telefon./SHQIP.com