Arrestohet shoferi i kamionit që dyshohet se e shkaktoi aksidentin me vdekje në Prizren

Një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur sot në Zhur të Prizrenit.
Dy personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Lidhur me këtë aksident, është arrestuar shoferi i kamionit, i cili tashmë është dërguar në ndalim policor.
Rasti është konfirmuar për SHQIP.com nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Fitore Mehmeti, e cila tha se i dyshuari, me inicialet B.K është ndaluar për 48 orë dhe dyshohet që ka kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Lidhur me rastin të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë vozitësin e kamionit, përkatësisht personin me inicialet B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 370, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Mehmeti.
Ndërsa, udhëheqësi i zyrës së operativës në policinë e Prizrenit, Azem Baraliu tha se aksidenti ka ndodhur kur njëra prej automjeteve ka dalë në shiritin e kundërt dhe janë goditur drejtpërdrejtë.
Sipas tij, viktima e aksidentit është pasagjeri i veturës./SHQIP.com