Lajme

Peci: Dikush po tenton të manipulojë, duke dashur që kundërligjshëm të përfitojë më shumë se 5 milionë euro

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci, ka thënë se dikush po tenton të manipulojë faktet për të përfituar mbi 5 milionë euro.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Peci ka thënë se sipërfaqja e të mbjellurave me grurë është 51 mijë e 282 hektarë e jo 40 mijë siç po paraqitet.

“Të gjithë ata që përmes deklaratave të tyre po vazhdojnë të shfrytëzojnë mediat duke pohuar të pa-vërtetat se në Kosovë ka vetëm 40 mijë hektarë të mbjellura me grurë; mesiguri një veprim të tillë e bëjnë pasi që veç i kanë paraqitur “faktet” dhe të dhënat paraprakisht në prokurori (ndryshe mendja e shëndoshë nuk e kupton, se dikush mund të konsumojë vepër penale në mënyrë të vetëdishme) sepse kushdo që ka informacione që pretendon se numri i sipërfaqeve është vetëm 40 mijë i bie rreth 11 e 282 hektarë më pak dhe se dikush po tenton të manipulojë, duke dashur që kundërligjshëm të përfitojë më shumë se 5 milionë euro apo saktësisht 5.347.668 euro të taksapaguesve tanë”, ka shkruar Peci.

Peci ka shtuar se nga java e ardhshme do të lansohet numri i telefonit pa pagesë ku të gjithë fermerët do të kenë mundësi të paraqesin kërkesat e tyre./Shqip.com