Shqipëria ratifikon protokollet për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dekretoi dy ligje të dielën përmes të cilave ratifkoi vendimet e Kuvendit të Shqipërisë që aprovoi anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.
“Anëtarësimi i këtyre vendeve mike patjetër që është një zhvillim historik dhe ndryshim i madh strategjik, që mbështetet në çdo hap nga Shqipëria,” tha Meta në deklaratë për media, raporton Radio Evropa e Lirë.
Një muaj më herët, Finlanda dhe Suedia zyrtarisht kanë aplikuar që të anëtarësohen në aleancën e NATO-s. Përfaqësuesit e dy shteteve kanë dorëzuar aplikimet në selinë e aleancës në Bruksel.
Vendimi i dy shteteve nordike, që kanë qenë neutrale, u nxit pas shqetësimeve të sigurisë për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.
Opinioni publik në Finlandë dhe Suedi mbështeti në mënyrë masive anëtarësimin, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt./Shqip.com