Lajme

Dëbohet kosovari: Ka hyrë ilegalisht në Zvicër dhe ka punuar pa leje pune

Zvicra

Një Kosovar është arrestuar nga Policia zvicerane dhe i njëjti është kthyer për Kosovë pasi po qëndronte dhe punonte pa dokumente në Zvicër.

Siç raporton Albinfo.ch, kosovari kishte ndalim hyrje në Zvicër deri në vitin 2024, por në momentin që është kapur nga policia ky ndalim iu është zgjatur edhe për dy vite të tjera.

“Në mbrëmjen e së hënës (27.06.2022), një patrullë policie në komunën Cham të Kantonit të Zug-ut ka ndaluar një furgon transporti dhe me atë rast ka kontrolluar tre personat që ndodheshin aty, transmeton albinfo.ch. Policia ka zbuluar se njëri prej tyre kishte një ndalim hyrjeje në Zvicër  që ishte i vlefshëm deri më 30 korrik 2024”, raporton media në fjalë.

27-vjeçari kosovar megjithatë ka hyrë në Zvicër me tren nga Italia.

Policia e Kantonit të Zugut, në komunikatën e tyre kanë thënë se 27 vjeçari kosovar kishte deklaruar se ka punuar si punëtor në skele, pa pasur lejen e detyrueshme të punës.

Ai u arrestua dhe u dënua me gjobë nga gjyqtarii prokurorisë publike të kantonit Zug për shkelje të rregulloreve të hyrjes, qëndrim të paligjshëm të qëllimshëm në Zvicër dhe punësim të paautorizuar.

Po ashtu, punëdhënësi i tij jashtë kantonit është përgjegjës. Ai akuzohet për shkelje të ligjit për të huajt dhe integrimin./Shqip.com