Kulturë

Ka vdekur Esma Mulla, një nga balerinat e para në Kosovë

Esma Mulla, njëra nga balerinat e para në Kosovë, ka ndërruar jetë të mërkurën.

Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se balerina e gjeneratës së parë të balerinëve në Kosovë, znj.Esma Mulla, ka ndërruar jetë”, shkruhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Mulla ishte e para e kualifikuar në shkollën e baletit, në Shkup.

“Ishte fabul jetike për një mori rolesh dhe shfaqjesh: “Legjenda mbi ngadhënjimin“, “Vallja pranverore“, “Bolero dhe Shtrausiana“, “Interplay“ (Zana) “Coppelia“,“Era dhe Kolona“,“Kënga e Rexhës“,“Romeo dhe Xhulieta“, “Besa“, “Carmen“, “Balloja e Kadetëve“, “Zef Lush Marku“, “Don Kishoti“,“E bukura More“, “Peter Pani“, “Loja e Sizifit“, “Fyelltari””.

Kujtojmë që Ansambli i Parë i Baletit kosovar është formuar në vitin 1972. Balerinët e asaj gjenerate janë shkolluar në Shkollën e mesme të Baletit në Shkup, ku nën udhëheqjen e drejtoreshës Tatjana Petkovska, u shkolluan 25 balerinë të rinj kosovar, nga ta 19 meshkuj e 6 femra.