Lajme

Qeveria me plan B në rast se opozita nuk e voton vetingun

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Në rast se partitë opozitare votojnë kundër themelimit të vetingut në Kosovë, atëherë, Qeveria do të përdorë planin B për këtë çështje.

Kështu ka shkruar ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë në rrjetin social Instagram.

Haxhiu ka cekur gjithsesi se Qeveria do të tentojë të arrijë marrëveshje me opozitën për këtë çështje.

“Ne synojmë ndryshimet kushtetuese dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me secilin subjekt politik pra edhe partitë opozitare”, shkroi ajo. 

“Sigurisht që e kemi edhe planin B me ndryshime ligjore”, shtoi Haxhiu.

Haxhiu po ashtu bëri të ditur se vetingu do të prekë edhe nivelet e larta të Policisë së Kosovë, përpos atyre të gjyqësorit.

“Do të ketë veting për sistemin e drejtësisë dhe për nivelet e larta të policisë. Ministra e Punëve të Brendshme ka themeluar grupin punues për këtë”, përfundoi ajo.

Theksojmë se Komisioni i Venecias ka dhënë dritën e gjelbër për të filluar me procesin e vettingut dhe për të formalizuar punën për Byronë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Vendimi është kumtuar më 18 qershor nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin, Albin Kurti.

Lexo edhe:
Haxhiu: Vettingu do të jetë i plotë, do të fillojë nga krerët e institucioneve të drejtësisë

Haxhiu, që është kthyer në Kosovë pasi ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Venecias, tha se në draft-opinionin për vettingun, i cili së shpejti pritet të bëhet publik, konstatohet nevoja e domosdoshme për të pasur reformë në drejtësi si dhe rekomandohet ndërmarrja e veprimeve për ndryshimet e nevojshme ligjore dhe kushtetuese në mënyrë që të arrihet rezultati i synuar për një gjyqësor me një integritet profesional dhe efikas.

“Komisioni rekomandon fillimisht verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe prokurori përmes një mekanizmi të jashtëm, pra niveleve të larta”, deklaroi Haxhiu.

Ndërsa, Kurti tha se vetingu është i domosdoshëm.

“… vettingu është i domosdoshëm, porsi edhe konfiskimi i pasurisë i fituar në mënyrë të paligjshmë. Sot fillojmë me jetësimin e punës një vjeçare të Ministrisë së Drejtësisë, në realizimin e këtyre proceseve jetikike për Kosovën, me përkrahjen e Komisionit të Venecias”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë konferencës për media më 18 qershor 2022.

Vetingu në Kosovë:

Qeveria e Kosovës, më 13 tetor, kishte miratuar koncept-dokumentin për vetting-un në drejtësi përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.

Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Ndërsa për projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, Komisioni i Venecias sipas Kurtit, ka kërkuar edhe zgjerim të kompetencave.

Ekzekutivi kishte thënë se subjekt i Byrosë do të ishin të gjithë zyrtarët publikë, ndaj të cilë ekzistojnë dyshime se pasuria e tyre është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Opinionet e Komisionit të Venecias pritet të bëhen publike të martën, më 21 qershor.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës më herët kishin thënë se Kosovës i duhet vetting sistematik në drejtësi./Shqip.com