Zyrtare: Krasniqi mbetet në Prishtinë

Me 13 qershor, FC Prishtina e zyrtarizoi largimin e mesfushorit Endrit Krasniqi – përmes një postimi në faqen zyrtare të klubit.
Me një shkrim përshëndetës nga bardhekaltërit u kuptua që Krasniqi do të ndërrojë ambient.

Duke marrë parasysh që ai ishte startues i padiskutueshëm – mungesa e tij shihej si një boshllëk i madh.
Por, duket që njëra palë është penduar.
Një ditë më pas, trajneri i kësaj skuadre, Ismet Munishi – njoftoi se Endriti nuk do të largohet nga kryeqyteti.
Munishi e bëri të ditur këtë – me anë të një shkrimi në Facebook, ku së bashku me Krasniqin u kuptua se do të qëndronte edhe Gledi Mici.

Por, njoftimi zyrtar nga klubi ka ardhur vetëm sot.
Tashmë – “drama” ka marrë fund, sepse Krasniqi ka vendosur të mos largohet nga bardhekaltërit.

Paraprakisht, nga Prishtina janë larguar Besnik Krasniqi, Qëndrim Zyba, Lorik Boshnjaku e disa emra të tjerë. /Shqip.com