Kurti: Për të pasur “Ballkan të Hapur” është Serbia ajo që duhet të jetë e hapur ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për të pasur “Ballkan të Hapur” është Serbia ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës.
Kreu i qeverisë tha se gatishmëria për bashkëpunim rajonal shprehet me mbështetjen për Procesin e Berlinit dhe angazhimin për tregun e përbashkët rajonal.
“Nuk besojmë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit, Ballkani nuk përbëhet vetëm nga 6 shtete në përgjithësi. Ballkani Perëndimor ende i paintegruar në BE përbehet nga 6 shtete me ç’rast këto s’mund të trajtohen bashkë, sepse kemi shtete që nuk e kanë dënuar dhe s’kanë vënë sanksione ndaj Rusisë. Ka shtete në Ballkanin Perëndimor që janë në anën e Ukrainës, dhe kemi shtete si puna e fqinjit tonë verior që është në anën e federatës ruse dhe presidentit despotik të saj. Për të pasur” Ballkan të Hapur”,është Serbia ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës”, tha Kurti.
“Nëse një qytetar i Kosovës dëshiron të shkojë në Serbi dhe çoftë për të vizituar të afërmit në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, apo për të kaluar transit nëpër atë shtet, nuk i pranohet pasaporta, nëse e tregon kartën e identitetit, ajo merret vetëm për t’i thithur të dhënat biometrike”, tha Kurti.
Kryeministri vazhdoi duke thënë se BE-ja është fati i Kosovës, ‘Evropa kontinenti ynë, dhe për këtë jemi të palëkundur’.
“E mbështesim qëndrimin amerikan se s’mund të ketë Ballkan të Hapur të themeluar si iniciativë përderisa nuk janë 6 shtete, është mirë një herë të shikohet a janë të 6 shtetet. Të mos e mundojnë as veten e tyre, sepse nuk janë 6 shtetet nuk ka Ballkan të Hapur”, tha kryeministri.
Theksojmë se më 7 dhe 8 qershor në Ohër të Maqedonisë së Veriut është mbajtur samiti i radhës i iniciativës “Ballkani i Hapur”.
Të pranishëm përveç Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, ishin edhe liderët e Malit të Zi dhe të Bosnje e Hercegovinës.
Kësaj radhe, ata ishin në rolin e vëzhguesit.
Gjatë drekës së punës më 7 qershor, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija ka shprehur dëshirë që Bosnja t’i bashkohet nismës së ‘Ballkanit të Hapur”.
Edhe kryeministri i Malit të Zi, Ditan Abazoviq, ka dhënë sinjale se vendi i tij mund të përfshihet në “Ballkanin e Hapur”.
Jashtë kësaj nime vazhdon të mbetet Kosova,./Shqip.com