Lajme

Escobar: “Ballkani i Hapur” nuk është projekt politik por ekonomik, SHBA e mbështet këtë iniciativë

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështetin iniciativën e “Ballkanit të Hapur”.

Kështu ka thënë i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë fjalimit të tij nëpërmjet një videolidhjeje.

“SHBA-ja e përkrah Ballkanin e Hapur. Duhet punuar jo vetëm në bashkëpunim rajonal ekonomik, por edhe në bashkëpunim për integrim në struktura evropiane. Ka shumë iniciativa për krijimin e një integrimi ekonomik. Ballkani i Hapur është një nga këto iniciativa. E afron rajonin, promovon paqen e stabilitetin. Besojmë se kjo nëse ka sukses duhet të jetë e hapur për të gjithë. Secila iniciativë për integrim ekonomik, duhet të përfshijë të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë”, tha Escobar.

Escobar ka thënë se SHBA-ja e sheh Ballkanin Perëndimor nga prizma e shekullit të 21-të e jo nga problemet e shekullit të 20-të.

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjatë takimit në Ohër më 7 qershor në kuadër të takimit të nismës së “Ballkanit të Hapur”.

Escobar ka vlerësuar se Ballkani Perëndimor ka rritje të madhe ekonomike, ndërsa ka potencial të jetë qendër e energjisë ripërtëritëse, qendër e gazit natyror, e të ndihmojë Evropën të lirohet nga varshmëria nga gazi rus.

“Ballkanin e Hapur” e ka quajtur iniciativë shumë të mirë, ndërsa ka propozuar që të ketë bashkëpunim edhe me iniciativa tjera që ekzistojnë në rajon.

“E kuptoni se nuk do të bëhet duplifikim i punëve, por integrim më i mirë”, tha Escobar.

Ai ka thënë po ashtu se liderët duhet të punojnë për të krijuar kushte më të mira për investuesit. Për të ndihmuar investuesit që dëshirojnë të punojnë në përputhje me ligjet.

“Më në fund ju mbështet që kjo iniciativë të jetë ekonomike, nuk është projekt politik, por i rëndësishëm ekonomik, e me rëndësi edhe të ngelet ashtu. Të fokusohet në krijimin e mundësive për njerëzit e rajonit”, tha Escobar./Shqip.com