Lajme Ballkan

Rama: Ballkani i Hapur garanton liritë që janë jetike për zgjidhjen e konflikteve në Europë

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut Në mbledhjen për iniciativën për Ballkanin e Hapur po merr pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Me këtë rast, Rama është shprehur se “Ballkani i Hapur” garanton liritë jetike për zgjidhjen e konflikteve në kontinentin tone raporton A2NEWS.

Rama theksoi edhe një herë mbështetjen e tij për këtë nismë, në të cilën deri tani janë përfshirë vetëm Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova jo.

“Është një ditë që nis këtu sot me transportin, sigurinë e rrugëve, qëndrueshmërinë e zhvillimit të gjithë sistemit tonë të transportit dhe që vazhdon më pas për mua në Ohër me një tjetër samit të Ballkanit të Hapur, në funksion të ecjes sa më shpejt drejt realizimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, të mallrave, të kapitaleve, të shërbimeve dhe jetësimit sa më shpejt në këtë rajon të katër lirive të Bashkimit Europian. Këto 4 liri të lëvizjes së Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor janë pas asnjë diskutim ajo çka për ne është jetike, ajo çka për sigurinë në këtë rajon është jetike, ajo çka për paqen dhe për zgjidhjen e konflikteve në këtë zonë të Europës është jetike”, tha Rama në fjalën e tij.

Po ashtu Rama ka shtuar se sot ne kemi hyrë dhe në një fazë tjetër edhe falë planit europian të investimeve, planit ekonomik të investimeve edhe falë rritjes së mbështetjes së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të vetë Bankës Europiane të Investimeve, edhe falë një sinergjie shumë më të madhe brenda për brenda rajonit dhe një kuptimi shumë të thellë dhe shumë konkret të domosdoshmërisë për të bashkuar të gjitha këto forca në funksion të së ardhmes.

Rama shpreson që Bashkimi Europian të mbështesë Malin e Zi sepse nëse segmenti që lidh Kroacinë me Shqipërinë përmes Malit të Zi për ta finalizuar Korridorin Blu do të mbetet i pazhvilluar njëkohësisht, atëherë sigurisht një pjesë e kuptimit e këtij korridori si një korridor i sistemit europian të transportit do të humbasë./Shqip.com