Sot hapet panairi i librit në Prishtinë

Panairi i librit në Prishtinë po kthehet pas dy vjetësh pandemi nga COVID-19.
Me moton “Libri mbron mendjen”, sot nga ora 12:00 vjen edicioni i 22-të i kryengjarjes së librit në Kosovë.
Panairi i Librit do të mbahet nga 7-12 qershor 2022, në ambientet e Pallatit të Rinisë.
Ndërkaq, do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-20:00.
“Marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora. Numri i titujve të rinj – rreth 2000. Numri i titujve të viteve të fundit – rreth 6000”, thuhet në faqen zyrtare të Shoqatës.
Tutje, sipas njoftimit panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë, studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.
Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate.
Do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë.
Hyrja do të jetë pa pagesë për të gjithë vizitorët./Shqip.com