MZHR-ja i quan të paqëndrueshme akuzat e PDK-së për keqpërdorim 1.1 milonë euro

Ministria e Zhvillimit Rajonal ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike të Kosovës se ministri Fikrim Damka, është i përfshirë në keqpërdorimin të buxhetit të shtetit.
Sipas kësaj ministrie akuzat e PDK-së nuk qëndrojnë pasi përkrahja e rinisë në shkolla, rintegrimi i të riatdhesuarve dhe bashkëpunimi me mërgatën kanë qenë qëllimet kryesore të këtij memorandumi të bashkëpunimit dhe si të tilla nuk janë keqpërdorime, por mundësi për përkrahje të qytetarëve.
“Ministria e Zhvillimit Rajonal ka një Memorandum të bashkëpunimit me Caritasin zviceran, organizatë ndërkombëtare e regjistruar në Kosovë, Caritasi Zviceran është anëtar i rrjetit ndërkombëtar të Caritas. Ai përbëhet nga 165 organizata në mbarë botën, përveç kësaj, organizatat e Caritas-it evropian janë bashkuar në Bruksel për të formuar Caritas Europe. Si rezultat i Memorandumit të bashkëpunimit në mes MZHR-së dhe Caritasit zviceran derivojnë dy projekte MARDI dhe YENI, ku Caritasi zviceran mbulon shumën më të madhe të financimit në vlerë prej 1,560,000 euro dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal bashkëfinancon këto dy projekte në vlerë prej 347,000 euro për vitet 2022-24”, thuhet në reagim.
Në reagim, MZHR-ja thotë se ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore për të bashkëfinancuar këto projekte dhe është konsultuar paraprakisht me të gjithë akterët relevantë për të marrë pëlqimet e nevojshme.
PDK-ja të mërkurën kërkoi hetime mbi një memorandum bashkëpunimi në mes të MZHR-së dhe Caritas-it zviceran, që kjo parti e konsideroi “aferë të dyshimtë dhe e kundërligjshme”.
Sipas kësaj partie opozitare, janë keqpërdorur 1 milion e 40 mijë euro të taksapaguesve.
Këto akuza i ka mohuar edhe kryediplomatja, Donika Gërvalla, e cila ka thënë se nuk e ka keqpërdoruar as edhe një cent.
Në lidhje më këtë ka pasur edhe një reagim tjetër nga deputetja e PDK-së, e cila i ka kërkuar Gërvallës që të demantoj me fakte se nuk ka pasur keqpërdorim.
“Të lutem demanto me fakte që nuk ka pas keqpërdorim nga ana juaj, na trego a është nënshkrimi juaj në dokument i vendosur? Po ashtu argumento që marrëveshja që ti ke nënshkruar hyn në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim ndërinstitucional dhe nuk është në kundërshtim me nenin 12 të Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare!”, ka shkruar Shoshi-Musli, duke e postuar dokumentin me të cilin gjatë ditës PDK akuzoi ministren Gërvalla e ministrin Fikrim Damka për keqpërdorim të 1.1 milion euro./SHQIP.com