Lajme Nga komuna e Gjakovës tregojnë për Shqip.com kriteret e reja për hapjen e tyre

Komuna mbyll shisha bar-et, pronarët s’pajtohen me rregulloren

Shisha bar

Që nga marsi i këtij viti, Komuna e Gjakovës ka marrë vendim për mbylljen e shisha bar-eve pranë vendbanimeve, institucioneve arsimore dhe objekteve fetare.

Këtë vendim të komunës e kanë kundërshtuar bizneset, të cilët thonë se i ka dëmtuar rëndë ekonomikisht.

Si rezultat, vetëm në Çarshinë e Vjetër ata thonë se janë mbyllur 20 biznese dhe janë larguar nga puna rreth 150 punëtorë.

“Ne thjeshtë punojmë si çdo biznes, paguajmë taksa, detyrimet e shtetit, kemi regjistruar punëtoret. Por ky vendim ka ndikuar që të mbyllen 20 biznese dhe janë largu nga puna mbi 150 punëtorë”, u shpreh përfaqësuesi i shisha bar-eve, Samson Duzhmani.

Megjithatë, për vendimin ishin paralajmëruar rreth një muaj më herët.

“Rregullorja ka hy në fuqi në muajin mars të këtij viti. Jemi lajmëruar një muaj më herët që me apliku për këtë veprimtari”, theksoi Duzhmani.

Por, shefi i Zyrës për Informim nga Komuna e Gjakovës, Artan Haraqia thotë se me vendimin e ri të njëjtat duhet të jetë 50 metra larg objekteve të banimit, arsimore dhe fetare.

“Bizneset të cilat si produkt të tyre kanë pasur edhe “shishat”, kanë qenë të fokusuara kryesisht në Çarshinë e Madhe, një lokacion ky ku përveç këtyre bizneseve, ka edhe shumë shtëpi banimi, institucione edukative – arsimore, fetare historike e të tjera. Në bazë të Rregullores Komunale mbi Plotësimin e Kushteve Minimale Higjienike, Teknike dhe Sanitare për lokalet afariste, konkretisht Neni 13 i kësaj rregullore, e ndalon shitjen e këtyre produkteve në afërsi deri në 50 metra të objekteve të lartshënuara”, ka thënë Haraqia.

Sa i dëmshëm është thithja e e tymit të ‘shishave’ për organizëm?

Sipas studimeve të fundit shkencore, një seancë e vetme e shisha-s mund të ketë të njëjtat efekte negative të pirjes së më shumë se një pakoje duhani.

Në atë që quhet studimi më i madh ndonjëherë për të eksploruar efektet e pafavorshme të pirjes së shisha-s, studiuesit nga Brighton dhe Shkolla Mjekësore Sussex zbuluan se njerëzit kanë më shumë të ngjarë të fitojnë peshë dhe të zhvillojnë diabetin e tipit 2 pas thithjes së gazrave “nargjile”, sesa duhanpirësit./SHQIP.com