Sistemi i kamerave në Komunën e Graçanicës i bartet Policisë së Kosovës

Komuna e Graçanicës ka zbatuar vendimin e agjencisë për informim dhe privatësi.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.
“Komuna e Graçanicës, në afatin e përcaktuar sipas Vendimit Nr. 100/2022, të datës 20.04.2022, të nxjerrë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, lidhur me ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë në hapësira publike, ka zbatuar rekomandimet e AIP-së dhe ka njoftuar se i tërë ky sistem iu është bartur Policisë së Kosovës, respektivisht Stacionit Policor në Graçanicë” thuhet në njoftimin e Agjencisë.
Sipas njoftimit kjo është bërë me qëllim të rritjes së sigurisë publike. I gjithë procesi i bartjes së këtij sistemi është bërë në prani të zyrtarëve të AIP-së.
Po ashtu sipas njoftimit Agjencia për Informim dhe Privatësi është në pritje edhe të zbatimit të vendimeve tjera të nxjerra për komunat të cilat tashmë ka inspektuar, si dhe është duke vazhduar inspektimin edhe në komunat tjera me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale./Shqip.com